Për një Ballkan të përpjekjeve dhe solidaritetit

Për një Ballkan të përpjekjeve dhe solidaritetit!

// Deklaratë e përbashkët e pjesëmarrësve të edicionit të 12-të Panairit te Librit Anarkist të Ballkanit në Novi Sad

Mes datave 28 dhe 30 Shtator 2018, kolektivë dhe individë të shumtë, pjesë e lëvizjeve anarkiste dhe antiautoritare nga Ballkani dhe më gjerë, u takuan në Novi Sad për edicionin e 12-të të ‘’Panairit te Librit Anarkist të Ballkanit” (Balkan Anarchist Bookfair).Të ardhur nga i gjithë rajoni ne folëm në shumë gjuhë, mes tyre serbo-kroatisht, hungarisht, rumanisht, sllovenisht, maqedonisht, bullgarisht, shqip, greqisht e disa të tjera. Duke marr parasysh prejardhjen tonë heterogjene, ky takim konfirmoji  se gjuha jonë e përbashkët është gjuha e përpjekjes dhe solidaritetit.

Gjatë ditëve të kaluara së bashku, ne ndamë shumë përvoja nga përpjekjet e ndryshme, përditësuam dhe testuam analizat tona dhe formuluam disa propozime konkrete për të ardhmen e përpjekjeve tona. Përmes kësaj ne arritëm t’i identifikojmë disa veçori të përbashkëta të strategjisë politike të klasës sunduese të tërë rajonit. Edhe këtë herë klasa sunduese përdorë nacionalizmin si një mjet për të mbjellë ndasi në mënyrë që të lehtësojë sulmin ndaj të shtypurve dhe në të njëjtën kohë të krijojë një kundërshtar të paqenë në formën e nacionalizmit popullist që paraqitet kinse si konservatorë ndaj ofensivës së dëmshme kapitaliste, kur në fakt i ofron kapitalit global mundësi për ristrukturim të ri e të përgjakshëm.

Si zakonisht, nacionalizmi gërshetohet me militarizmin,obskurantizmin e përtërirë religjioz dhe patriarkatin. Kjo shihet qartazi tek vala e re e tensioneve mes pushteteve të shteteve të ndryshëm, si dhe nëpërmjet rritjes së diskursit së nacionalizmit popullist, p.sh.. në mes pushteteve të Kosovës e Serbisë, Maqedonisë e Greqisë, në Bosnje e Hercegovinë, në Kroaci, etj. Si kundërpërgjigje ndaj këtyre përpjekjeve përçarëse nga ana e klasës sunduese, u pa një nevojë urgjente për koordinim të veprimeve në një fushatë të gjerë ballkanike kundër nacionalizmit, militarizmit dhe çdo lloji të përçarjes në mes të shtypurve. Kjo mund të arrihet vetëm përmes mobilizimit të përbashkët të forcave sociale. Moment i randësishëm kur ne mund të veprojmë konkretisht drejt këtij qëllimi është mobilizimi kundër marshit të Lukov-it në Sofje, Bullgari në Shkurt 2019. Ne pjesëmarrësit e Panairit shprehim mbështetjen e plotë për marshin Anti-Lukov dhe ju bëjmë thirrje të gjithëve të organizojnë mobilizim lokal anti-nacionalist dhe sipas mundësive të shkojnë në Sofje. Ne gjithashtu theksojmë zotimin tonë për të mbrojtur strukturat tona nga sulmet fashiste dhe nevojën për të kundër-sulmuar.

Paralelisht me këtë, ne kuptojmë që zgjerimi i kapitalizmit global arrin limitet e veta nga vetë fakti që ne jetojmë në një planet me burime të kufizuara. Për ta kompensuar këtë, kapitalizmi me lehtësi përdor metoda vdekjeprurëse të grabitjes së drejtpërdrejt dhe të shfrytëzimit vulgar,më së shpeshti dhe vazhdimisht e merr formën e sulmit ndaj të drejtave të punëtorëve dhe ambientit. Kështu pra nuk është e rastësishme që në vitet e fundit Ballkani gjithashtu ka jetuar një shpërthim të betejave kundër përvetësimit kapitalist të natyrës sikurse minierat e arit ne Halkidiki dhe Rosia Montană, projekte të mëdha hidroelektrike në lumenjtë e Ballkanit, mes tyre Stara Planina në Serbi e Mura në Slloveni, Valbona në Shqipëri, fraking në Rumani dhe Bullgari, projekte të nxjerrjes së naftës nëpër gjithë Greqinë dhe në të ashtuquajturat zona ekonomike ekskluzive nga ana e kompanive lokale dhe gjigantët e energjisë si Repsol, Total, ExxonMobil, Edison, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Të gjitha këto janë shembuj se si sektori ekonomik i ekstraktimit, i menaxhuar nga disa korporata globale dhe i mbrojtur nga aparati shtetëror ligjor e shtypës, po merr territoret e Ballkanit, duke ofruar në shkëmbim ndotje, shkatërrimin e të drejtave të punëtorëve dhe shkatërrim të komuniteteve.

Në periferi të sistemit global kapitalist, grabitja dhe lufta transformojnë segmente të mëdha të popullatës në emigrantë ekonomikë dhe refugjatë, proces që edhe për ne në Ballkan nuk është thjesht çështje e kuptimit teorik, por gjithashtu një përvojë e jetuar. Përderisa popullata heterogjene kërkon një vend për ta quajtur shtëpi dhe për të rindërtuar jetët e tyre, ata sulmohen nga kapitali dhe strukturat e tij politike: e para i integron drejtpërdrejtë në ekonominë kapitaliste si fuqi të lirë punëtore, kurse e dyta i flijon ata për të justifikuar rritjen e kontrollit social ndaj të gjithëve, përgjimin dhe shtypjen e segmenteve antagoniste të shoqërisë, si dhe të ushqej të djathtën populliste, ndërkohë që minon solidaritetin mes të shtypurve.

Tre vjet pas rrenimit të përkohshëm të makinerisë së Evropës Kështjellë, njerëzit janë duke u burgosur vetëm se guxojnë ti rezistojnë regjimit çnjerzor ndaj të cilit janë të nënshtruar. Rastet si Harmanli në Bullgari, Moria në Greqi dhe Röszke në Hungari janë vetëm disa raste të njohura që shpërfaqin një proces më të gjerë të shtypjes dhe kriminalizimit. Përmes tij, nuk janë shënjestër vetëm migrantët që rezistojnë, por gjithashtu edhe vetë ideja dhe praktika e solidaritetit politik transnacional. Tani që Ballkani dhe shtetet evropiane në një shkallë të madhe kanë rimarrë kontrollin e kufijve të tyre, mjete më të heshtura, por shumë më vdekjeprurëse të kriminalizimit dhe racizmit janë duke u përdorur për të shtyrë njerëzit në pasiguri, shpesh duke i shtyrë ata në ilegalitet dhe format më të ulëta të shfrytëzimit. Ne e kuptojmë që është e nevojshme që të thyejmë gjendjen e përjashtimit që është imponuar mbi emigrantët ekonomikë dhe refugjatët dhe të çmontojmë regjimin evropian çnjerzor të kufijve dhe kampeve të përqendrimit. Mbështesim të gjitha aksionet e solidaritetit kundër kriminalizimit të emigrantëve, qendrave të mbajtjes dhe pikave të grumbullimit të tyre.

Këtë vit në PLAB gjithashtu u zhvillua një takim mes iniciativave sindikaliste bazë nga Ballkani prej të cilave patëm mundësinë të njoftohemi për përpjekjet e fundit të punëtorëve të kantiereve detare në Pula dhe Rijeka, Kroaci, gratë punëtore të sektorit të pastrimit në Kosovë, punëtorët e rrjeteve të supermarketëve dhe kafeve në Greqi, sektori i logjistikës në Bullgari, e kështu me radhë. Duke parë se si këto përpjekje kanë midis tyre veçori të ngjashme, si dhe duke marrë në konsideratë posaçërisht komunikimin e kapitalit në Ballkan, ramë dakord për forcimin e mëtejshëm të ndihmës së ndërsjellë dhe shpërndarjes së informacioneve. Ne krijuam një platformë të përbashkët të shpërndarjes së informacionit dhe u ndërmorën disa hapa të tjerë konkretë  të cilët shpresojmë që do të ndërmjetësojnë solidaritetin mes punëtorëve nga i gjithë Ballkani si dhe të mundësojë koordinimin efikas të veprimeve të drejtpërdrejta. Si vazhdim i kësaj, grupet prezente anarko-sindikaliste dhe grupet sindikale radikale bazë, konfirmuan pozitën e tyre për tu përqendruar në organizimin e përpjekjeve në vendet e punës, t’u ndihmojnë punëtorëve për tu vetë-organizuar, dhe të propagandojnë për përpjekje klasore internacionale në Ballkan.

Së fundmi ne vendosëm që të takohemi vitin tjetër në Sofie, Bullgari në edicionin e 13të të Panairit të Librit Anarkist të Ballkanit. Lëvizja antiautoritare dhe anarkiste atje do të organizojë në bashkpunim  hapësirën për vazhdimin e përpjekjeve tona dhe gjithashtu për të nderuar 100 vjetorin e themelimit të ‘’Federatës Anarkiste të Bullgarisë’’.

Kundër nacionalizmit dhe kapitalizmit – për një Ballkan të përpjekjeve dhe solidaritetit.
Asnjë emërtim nuk na ndan, asnjë komb nuk na bashkon!

Pjesëmarrësit e edicionit të 12të të Panairit të Librit Anarkist të Ballkanit